Lista – çfarë duhet të ketë çdo dyqan elektronik?
Sipas nenit 7 të ligjit për tregtinë elektronike, në bazë të detyrimit për informacion të përgjithshëm, Tregtari elektronik ose sic quhet ndryshe ofruesi i shërbimit, në ushtrimin e veprimtarisë siguron për blerësin ose sic quhet ndryshe, marrësin e shërbimit dhe për autoritetet përkatëse informacion, të paktën, për:
-
emrin tregtar të ofruesit të shërbimit dhe, nëse nuk ka të tillë, emrin me anë të të cilit ai është regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë;
-
adresën e vendit, në të cilën është vendosur selia apo qendra kryesore e veprimtarisë së ofruesit të shërbimit;
-
adresën e postës elektronike apo çdo detaj tjetër që lejon komunikimin e shpejtë dhe efikas me ofruesin e shërbimit;
-
të dhënat e regjistrimit në regjistrin tregtar të ofruesit të shërbimit, sidomos numrin unik të identifikimit të personit;
-
të dhëna të veçanta të autoritetit përgjegjës mbikëqyrës, kur veprimtaria e ofruesit të shërbimit është objekt i ushtrimit të saj nëpërmjet pajisjes së tij me autorizim të veçantë;
-
profesionet e rregulluara, duke treguar edhe:
- entin publik profesional ose institucionin e ngjashëm me të, ku ofruesi i shërbimit është i regjistruar;
- titullin profesional dhe shtetin e lëshimit apo të fitimit të tij;
- referimin për rregullat, që rregullojnë profesionin dhe juridiksionin e zbatuar në shtetin e krijimit të tij, si dhe mjetet për informim për to; -
numrin unik të identifikimit të subjektit apo NIPT-in.
PËRVEC KËTIJ INFORMACIONI, TREGTARI ELEKTRONIK ËSHTË I DETYRUAR TË DISPONOJ INFORMACIONIN E MËPOSHTËM:
INFORMACION PER PRODUKTIN
1. Ofruesi i shërbimit jep informacionin e në mënyrë të qartë, të saktë dhe lehtësisht të kuptueshëm, për mallrat apo shërbimet, që ai ofron ose parashikon të ofrojë në të ardhmen, veçanërisht për çmimet. Informacioni duhet të jetë i qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm, se çmimi i ofruar prej tij është përfundimtar dhe se në të janë përfshirë tatimi e kostot e transportit apo të dërgimit të tij deri në destinacionin përfundimtar, të përfituesit apo të marrësit.
Në çdo rast, ofruesi i shërbimit është i detyruar që, në informacionet që jep, veç parashikimeve të këtij ligji, të respektojë edhe parashikimet e ligjit nr. 9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorit”
Tregtari elektronik jep informacion të plotë, në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, si dhe përpara se të bëhet kërkesa nga blerësi, për:
- hapat e ndryshëm proceduralë, që do të ndiqen për lidhjen e kontratës;
- kushtet kontraktore të palëve;
- mënyrat teknike për identifikimin dhe korrigjimin e gabimeve, përpara paraqitjes së kërkesës/porosisë
- gjuhët e ofruara për lidhjen e kontratës;
- faktin nëse kontrata e lidhur do të arkivohet nga ofruesi i shërbimit dhe nëse do të ketë akses te kjo kontratë.
2. Në rastet kur palët, që nuk janë konsumatorë, bien dakord ndryshe nga sa kërkohet në pikën 1 të këtij neni, ofruesi i shërbimit tregon Kodin e Etikës, ku përshkruhet edhe mënyra e konsultimit të këtij kodi në formë elektronike
3. Termat e kontratës dhe kushtet e përgjithshme të saj i jepen marrësit në atë mënyrë, që ai të mund t’i ruajë, përdorë dhe riprodhojë ato për qëllimet e kësaj marrëdhënieje.
4. Pikat 1 e 2 të këtij neni nuk zbatohen për kontratat e lidhura ekskluzivisht nëpërmjet shkëmbimit të postës elektronike apo komunikimeve individuale, ekuivalente.
LIDHJA E KONTRATËS
1. Ofruesi i shërbimit jep një fletëpërmbledhje të kushteve, të përgjithshme e të veçanta, që i aplikohen kontratës, si dhe njofton pa vonesë për marrjen e porosisë nga marrësi i shërbimit nëpërmjet mjeteve elektronike, përveç rasteve kur palët jokonsumatore bien dakord ndryshe.
2. Kontrata elektronike quhet e lidhur kur ofruesi merr një mesazh elektronik, që përmban deklarimin e marrjes së konfirmimit dhe pranimin e ofertës.
3. Propozimi dhe pranimi i ofertës, të bërë nga palët në marrëdhënien juridike, që lind për shkak të tregtisë elektronike ndërmjet tyre, vlerësohen se janë marrë, kur palët, paraprakisht, t’i kenë provuar njëra-tjetrës se janë në gjendje t’i marrin ato në rrugë elektronike. Në këtë rast, parashikimet e Kodit Civil për pranimin apo refuzimin e ofertës, të parashikuara në kushtet e përgjithshme të kontratave, janë të zbatueshme edhe për këtë qëllim.
DETYRIMET E OFRUESIT TË SHËRBIMIT
1. Ofruesit e shërbimeve, që janë objekt i këtij kreu, nuk kanë detyrim për mbikëqyrjen e informacionit, që ata transmetojnë ose ruajnë, si dhe për kërkimin e fakteve apo të situatave, që tregojnë një veprimtari të paligjshme.
2. Ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit njoftojnë menjëherë autoritetet përgjegjëse, nëse kanë dyshime të arsyeshme se përdoruesit e shërbimeve:
- janë duke kryer veprimtari të paligjshme;
- kanë paraqitur informacion ilegal.
3. Ofruesit e shërbimeve u paraqesin organeve përgjegjëse, në bazë të kërkesës së tyre dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, të gjithë informacionin, që mundëson identifikimin e marrësit të këtyre shërbimeve.
AUTORITETET MBIKËQYRËSE
1. Për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve, të përcaktuara në këtë ligj, nga ofruesit e shërbimeve të shoqërisë së informacionit, ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
2. Për ndjekjen dhe zbatimin e detyrimeve, të përcaktuara në këtë ligj, për mbrojtjen e konsumatorëve, ngarkohen Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit, të përcaktuara në ligjin “Për mbrojtjen e konsumatorit”.
3. Për qëllime të mbikëqyrjes, ofruesit e shërbimit të shoqërisë së informacionit u ofrojnë personave të autorizuar akses në pajisjet kompjuterike dhe japin, pa vonesë, informacionin dhe dokumentet e transmetuara, që kanë lidhje me subjektin e mbikëqyrjes.
SANKSIONET
1. Një person juridik, ofrues i shërbimit të shoqërisë së informacionit, dënohet me gjobë 200 000 (dyqind mijë) lekë, për rastet e mëposhtme:
- shkelje të detyrimit për informacion të përgjithshëm (neni 7);
- shkelje të detyrimit për informacion të përgjithshëm për komunikimet tregtare (neni 8);
- shkelje të detyrimit për sigurimin e aksesit për lidhjen e kontratës (neni 13 pika 1);
- mosrespektim të pikës 3 të nenit 13 të këtij ligji për mosdhënien e aksesit për marrësin e shërbimit, në mënyrë që t’i ruajë, përdorë dhe riprodhojë ato;
- shkelje të detyrimeve të pikave 2 e 3 të nenit 20 të këtij ligji;
- mosdhënie akses në pajisjet kompjuterike dhe të informacionit për personat e autorizuar, sipas pikës 3 të nenit 21 të këtij ligji.
2. Nëse shkeljet e mësipërme janë kryer nga persona fizikë, ofrues të shërbimit të shoqërisë së informacionit, në këtë rast ata dënohen me gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë.
3. Shkeljet e parashikuara nga ky ligj, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe, sipas fushës së tyre të veprimit, autoritetet mbikëqyrëse vendosin gjobat, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
ANKIMI
Kundër vendimit të dënimit me gjobë mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së vendimit ose e njoftimit të tij.
ZGJIDHJA E MOSMARRËVESHJEVE
1. Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve, që rrjedhin nga hyrja në marrëdhënie me njëri-tjetrin, për shkak të ofrimit dhe të pranimit të shërbimeve në distancë, zgjidhen nga gjykata e arbitrazhit, sipas klauzolave të arbitrazhit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Në rast mungese të marrëveshjes për arbitrazh, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata e rrethit gjyqësor.